Shkollat e Kosovës po zbrazen, mbi 10 mijë nxënës më pak brenda një viti
Të dhënat më të fundit tregojnë rënie të ndjeshme të numrit të nxënësve dhe studentëve në Kosovë, ndërsa vetëm arsimi parashkollor ka shënuar rritje.
Shkollat dhe universitetet në Kosovë po përballen me një tkurrje të vazhdueshme të numrit të nxënësve dhe studentëve. Sipas statistikave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për vitin shkollor 2025-2026, numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ka rënë me afro 10 mijë në vetëm një vit.
Të dhënat tregojnë se në vitin shkollor 2025-2026 janë regjistruar 198.639 nxënës në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, krahasuar me 208.515 një vit më parë. Kjo do të thotë se shkollat e Kosovës kanë rreth 9.900 nxënës më pak krahasuar me vitin e kaluar. Pjesa dërrmuese e tyre, 194.314 nxënës, ndjekin shkollat publike, ndërsa vetëm 4.325 janë të regjistruar në institucione private.
Vetëm parashkollori shënon rritje
Niveli i vetëm që ka shënuar rritje është arsimi parashkollor. Numri i fëmijëve në çerdhe dhe kopshte ka arritur në 35.948, ose 1.910 më shumë krahasuar me vitin paraprak, kur ishin 34.038. Nga totali i fëmijëve të regjistruar, 24.422 ndjekin institucionet publike, ndërsa 11.526 janë pjesë e sektorit privat.
Rënie edhe në arsimin e mesëm
Edhe arsimi i mesëm i lartë ka vijuar trendin rënës. Në vitin shkollor 2025-2026 janë regjistruar 62.085 nxënës, kundrejt 63.551 në vitin e kaluar. Në shkollat publike ndjekin mësimin 56.892 nxënës, ndërsa në sektorin privat janë regjistruar 5.193 nxënës.
Universitetet publike humbasin studentë
Rënie është regjistruar edhe në arsimin e lartë. Numri total i studentëve në Kosovë ka zbritur në 64.671, nga 64.817 që ishte një vit më parë.
Universitetet publike kanë pësuar tkurrjen më të madhe, duke humbur mbi 2.400 studentë krahasuar me vitin akademik paraprak. Aktualisht, në universitetet publike studiojnë 34.208 studentë, ose 52.9 për qind e totalit, ndërsa në kolegjet private janë regjistruar 30.463 studentë, ose 47.1 për qind. Në të kundërt, institucionet private të arsimit të lartë kanë shënuar rritje të numrit të studentëve.
Sfidat demografike dhe emigracioni
Treguesit e fundit konfirmojnë se Kosova po përballet me sfida të vazhdueshme demografike, të lidhura me rënien e lindshmërisë dhe emigracionin e popullsisë. Këto zhvillime po reflektohen drejtpërdrejt në sistemin arsimor, ku çdo vit po regjistrohen më pak nxënës dhe studentë.
Rënia e numrit të të regjistruarve po ndikon veçanërisht në institucionet publike, duke ngritur shqetësime për planifikimin afatgjatë të rrjetit shkollor dhe universitar në vend.